Analisti politik Jasmin Mujanoviq ka kërkuar që qeveria e re e Serbisë të hapë arkivat e shërbimeve sekrete dhe të zbardhë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në luftërat e viteve ’90.
Në një reagim në platformën X, Mujanoviqka theksuar se qeveria e re në Beograd duhet të zbatojë një politikë të mirëfilltë të lustracionit, e cila do të përfshinte largimin nga institucionet të personave të lidhur me regjimet e mëparshme.
Ai ka përmendur Dejan Shoshkićin, ish-guvernatorin e Bankës Qendrore të Serbisë, si një nga kandidatët seriozë për kryeministër, duke iu referuar qëndrimeve të tij për lustracionin dhe kufizimin e ndikimit të oligarkëve të lidhur me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq.
Sipas Mujanoviqit, Serbia nuk e përfundoi procesin e shkëputjes nga trashëgimia e regjimit të Slobodan Millosheviqit pas largimit të tij nga pushteti. Arkivat e sigurisë nuk u hapën, ndërsa strukturat e inteligjencës, ushtrisë dhe policisë nuk u reformuan siç duhej.
Ai ka vlerësuar se kjo situatë kontribuoi në rikthimin e figurave të lidhura me atë regjim, duke përfshirë edhe Vuçiqin, në skenën politike serbe.
Mujanoviq ka kërkuar që hapja e arkivave të mundësojë zbardhjen e personave që, sipas tij, janë përgjuar, përndjekur apo vrarë nga regjimet e Millosheviqit dhe Vuçiqit, si dhe të rrjeteve të bashkëpunëtorëve politikë e mediatikë në Serbi, rajon dhe Evropë.
Në fund, ai ka thënë se nacionalizmi serb është karakterizuar nga dy shtylla: autoritarizmi brenda vendit dhe ekspansionizmi jashtë tij. Sipas tij, qeveria e re mund të nisë një shkëputje historike nga kjo trashëgimi duke zbardhur pasojat e politikave të së kaluarës.
Burimi: RTKLive
