NPL “Fushë Kosova” ka njoftuar për vazhdimin e aktiviteteve të pastrimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike në territorin e komunës.
Sipas njoftimit, ekipet kanë grumbulluar dhe larguar mbeturinat e shpërndara në hapësirat para dhe përreth shkollës “Mihal Grameno”, në Aneksin 3.
Po ashtu, është realizuar pastrimi i parkingut dhe i hapësirave përreth palestrës sportive dhe fushave të sportit në Sllatinë.
Nga kjo kompani kanë theksuar se këto aktivitete synojnë krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të përshtatshëm për qytetarët.
“Pastërtia është përgjegjësi e përbashkët. Të kujdesemi për hapësirat publike dhe t’i mbajmë ato të pastra për të gjithë!”, thuhet në njoftimin e NPL “Fushë Kosova”. /Telegrafi/