Imeri: Vuçiqi fiton në burgje dhe Kosovë, serbët mbahen peng nga Lista Serbe

Imeri: Vuçiqi fiton në burgje dhe Kosovë, serbët mbahen peng nga Lista Serbe

Written by

in

Analisti politik Dorajet Imeri ka ngritur pikëpyetje për mbështetjen elektorale që Aleksandër Vuçiq, raportohet se ka marrë nga votuesit serbë në Kosovë dhe nga të burgosurit në Serbi, duke vënë në pah ndikimin politik të Listës Serbe dhe të rrjeteve të lidhura me Milan Radoiçiqin mbi serbët e Kosovës.

Sipas Imerit, ndonëse votat e serbëve të Kosovës dhe ato të të burgosurve në Serbi përfaqësojnë kontekste të ndryshme, krahasimi i tyre ngre pikëpyetje për varësinë politike dhe ruajtjen e strukturave të pushtetit.

Ai thekson se serbët e Kosovës prej vitesh jetojnë nën dominimin politik të Listës Serbe dhe ndikimin e rrjeteve të lidhura me Milan Radoiçiqin. Në këtë kontekst, Imeri shtron pyetjen se deri në çfarë mase mbështetja elektorale pasqyron vullnetin e lirë politik dhe sa ndikohet nga varësia institucionale, presioni politik dhe mungesa e alternativave të qëndrueshme.

Sipas tij, dobësimi i lidhjeve mes udhëheqjes së re në Serbi dhe Listës Serbe mund të krijojë mundësi për pluralizëm më të madh politik, përfaqësim më të pavarur të serbëve të Kosovës dhe marrëdhënie më të institucionalizuara me autoritetet e Kosovës.

Imeri vlerëson se një transformim i tillë do të mund të shënonte fillimin e kalimit nga një marrëdhënie e karakterizuar nga mosbesimi dhe mohimi i legjitimitetit politik, drejt një qasjeje ku të dyja palët, edhe pa pajtim për statusin, do ta pranonin njëra-tjetrën si realitete politike me të cilat duhet të bashkëjetojnë.

Megjithatë, ai thekson se ndryshimi kërkon më shumë sesa zëvendësimin e elitave politike. Sipas tij, nevojiten ndryshime në diskursin politik, në normat mbizotëruese dhe në mënyrën se si Serbia i përcakton interesat e saj kombëtare në raport me Kosovën.

Në përfundim, Imeri vlerëson se sprova kryesore për Listën Studentore do të jetë gatishmëria për të sfiduar qasjen që e ka lidhur Kosovën me identitetin shtetëror serb dhe për t’u mundësuar serbëve të Kosovës të zhvillojnë përfaqësim politik të pavarur nga Beogradi.

Ai paralajmëron se, nëse Serbia vazhdon ta ndërtojë identitetin e saj politik mbi mohimin e shtetësisë së Kosovës dhe ruan mekanizmat e kontrollit politik mbi serbët e Kosovës, ndryshimi do të jetë vetëm në udhëheqje, jo në politikë.

“Vuçiqi mund të largohet nga pushteti, por trashëgimia e tij politike ndaj Kosovës mund të vazhdojë”, përfundon Imeri.

Burimi: RTKLive