Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kuvendi themelon komision parlamentar hetimor

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kuvendi themelon komision parlamentar hetimor

Written by

in

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota për një rezolutë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, përmes së cilës parashihet themelimi i një komisioni parlamentar që do të merret me hetimin e këtij rasti.

Themelimi i komisionit parlamentar përbën pikën e parë të rezolutës, e cila përfshin edhe një sërë masash që synojnë parandalimin e dhunës dhe ofrimin e mbështetjes për familjet që përballen me vështirësi.

Në kuadër të rezolutës parashihet krijimi i një linje këshillimi falas për çiftet dhe familjet, si dhe sigurimi i shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe përsëritjes së tyre.

Po ashtu, rezoluta parasheh ofrimin e këshillimit psikologjik dhe edukimit për parandalimin e dhunës që në adoleshencën e hershme.

Megjithatë, jo të gjithë deputetët morën pjesë në votimin e kësaj rezolute, gjë që nxiti reagimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ajo kritikoi deputetët që, sipas saj, kishin ngritur akuza gjatë diskutimeve, por nuk kishin qëndruar në sallë për të votuar.

“Të vijnë këtu e të hedhin akuza e mos me qëndru në sallë për të votuar, kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Gjithsesi secili deputet le ta ketë përgjegjësinë e vetë”, deklaroi Haxhiu.

Rezoluta u miratua me 67 vota për, ndërsa masat e parapara në të synojnë forcimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e dhunës dhe mbështetjen e familjeve./Telegrafi/