LEX | “Unë ty po të jap informata, ti mua asgjë” – Hetuesi policor dëshmon për takimet me Muharrem Qerimin në rastin e spiunazhit

LEX | “Unë ty po të jap informata, ti mua asgjë” – Hetuesi policor dëshmon për takimet me Muharrem Qerimin në rastin e spiunazhit

Written by

in

LEX | “Unë ty po të jap informata, ti mua asgjë” – Hetuesi policor dëshmon për takimet me Muharrem Qerimin në rastin e spiunazhit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të martë, po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh.

Në seancën e sotme, para trupit gjykues po dëshmon një zyrtar policor, hetues i krimeve ekonomike, i cili ka rrëfyer për kontaktet dhe takimet me të akuzuarin Muharrem Qerimi, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës.

Dëshmitari deklaroi se Qerimi kishte insistuar vazhdimisht që të takohej me të, ndërsa sqaroi se, për shkak të natyrës së punës së tij si hetues, e kishte për detyrë të mbante kontakte me burime informative.

Sipas dëshmitarit, në njërin prej takimeve, Qerimi i kishte shprehur pakënaqësi për faktin se komunikimi mes tyre nuk ishte i ndërsjellë sa i përket shkëmbimit të informacioneve.

“Unë ty po të jap informata, ti mua asgjë”, dëshmoi zyrtari policor se i kishte thënë Muharrem Qerimi.

Ai deklaroi se ia kishte bërë të qartë Qerimit se nuk ishte më pjesë e Policisë së Kosovës dhe se nuk kishte informacione për t’i ndarë me të.

Dëshmitari pohoi se Qerimi ishte larguar nga puna për shkak të keqpërdorimeve, duke theksuar se ky fakt ishte një nga arsyet pse nuk mund t’i ofronte informacione.

“Ia kam bërë me dije se nuk është më pjesë e Policisë, pasi ishte larguar nga puna për keqpërdorime, dhe se nuk kam çfarë t’i tregoj”, ishte thelbi i dëshmisë së tij para gjykatës.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për veprën penale të spiunazhit.

Procesi gjyqësor ndaj tyre po vazhdon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali