
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur pikëllimin e thellë për vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e përpjekjeve institucionale në parandalimin e dhunës ndaj grave.
Përmes një reagimi, ambasada ka theksuar se çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna, ndërsa ka nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët dhe veprime konkrete për garantimin e kësaj të drejte.
“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna dhe kjo e drejtë duhet të garantohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”.
Duke shprehur ngushëllime për familjen dhe të dashurit e Arlinda Zekajt, ambasada ka theksuar se grave që janë në rrezik duhet t’u ofrohen siguri dhe mbrojtje.
Në reagim, ambasada ka vlerësuar se kjo tragjedi rikthen vëmendjen te femicidi si një problem serioz shoqëror, që kërkon reagim të vazhdueshëm dhe të koordinuar.
“Kjo tragjedi e dhimbshme shërben si një kujtesë e fortë se femicidi nuk është një rast i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore, si manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj grave, që kërkon një reagim të vazhdueshëm dhe të koordinuar. Garantimi i sigurisë dhe mbrojtjes së grave në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masat efektive parandaluese, veprimet institucionale në kohë dhe shërbimet mbështetëse të qasshme”.
Ambasada ka rikujtuar gjithashtu se Kosova është palë në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje të gjithë akterëve përkatës që të intensifikojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes.
“U bëjmë thirrje të gjithë akterëve përkatës që të vazhdojnë t’i forcojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe kultivimin e një kulture në të cilën dhuna as nuk tolerohet dhe as nuk shpërfillet”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali