Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bastisja është realizuar më 27 tetor 2026 nga hetuesit policorë të Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë. Objekti i bastisjes ishte pronë e një të dyshuari mashkull, shtetas i Kosovës, i lindur në vitin 2004.
Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 1 kilogram e 9 gramë kokainë, si dhe 4.14 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Në mesin e gjësendeve të konfiskuara janë edhe një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me gjithsej 20 fishekë të kalibrit PPU 32.
Po ashtu, policia ka sekuestruar para të gatshme në shuma dhe valuta të ndryshme: 1,175 euro, 200 franga zvicerane, një dollar amerikan, 200 lekë dhe 100 rubla ruse.
Gjatë operacionit janë gjetur edhe dy telefona të markës iPhone, njëri prej tyre i dëmtuar, një peshore elektrike dhe një fletore me shënime të ndryshme.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin policor të të dyshuarit për 48 orë.
Sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Burimi: RTKLive
