Bolsonaro dyshohet se është larguar drejt SHBA-së pas humbjes në zgjedhjet presidenciale

Bolsonaro dyshohet se është larguar drejt SHBA-së pas humbjes në zgjedhjet presidenciale

Written by

in

Senatori brazilian Flavio Bolsonaro është larguar nga Brazili drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi humbi zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe nuk zbatoi urdhrin e Gjykatës Supreme për dorëzimin e pasaportave, kanë bërë të ditur dy burime për Reuters.

Ambasada amerikane në Brazil nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, ndërsa avokati i Bolsonaros refuzoi të komentojë lidhur me këtë çështje.

Flavio Bolsonaro, i cili në prag të zgjedhjeve shihej si favorit për fitore, pësoi humbje të papritur përballë presidentit të majtë në detyrë, Luiz Inácio Lula da Silva.

Të hënën, atij iu dha afat prej 24 orësh për të dorëzuar pasaportat, në kuadër të një hetimi për pastrim parash, për të cilin ai mohon çdo shkelje. Sipas dy burimeve të tjera, ky afat tashmë ka kaluar dhe dokumentet e tij janë anuluar.

Një zyrtar i lartë i Policisë Federale të Brazilit tha se Bolsonaro nuk është larguar nga vendi përmes ndonjë pike të rregullt të kontrollit kufitar.

As Flavio Bolsonaro dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë konfirmuar publikisht vendndodhjen e tij.

Pas humbjes në zgjedhje, senatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht rezultatin. Të dielën, ai tha se do të kërkonte anulimin e tij, duke pretenduar parregullsi në votim. Megjithatë, partia e tij, Partia Liberale, deklaroi të hënën se e njeh fitoren e Lula da Silvës.

Babai i tij, ish-presidenti Jair Bolsonaro, ishte larguar gjithashtu drejt Shteteve të Bashkuara pasi refuzoi të pranonte humbjen ndaj Lula da Silvës në vitin 2022. Ai më vonë u kthye në Brazil dhe u dënua me 27 vjet burg për komplot për grusht shteti.

Ndërkohë, Paulo Figueiredo, një influencues i së djathtës që konsiderohet si një lloj zëdhënësi jozyrtar i familjes Bolsonaro, refuzoi të përgjigjej në pyetjet për vendndodhjen e senatorit.

“Pas muajsh pune intensive, e cila është penguar padrejtësisht, nuk jam në disponim të flas me shtypin”, tha ai në një mesazh, duke shtuar se do të kontaktojë mediat nëse do të ketë ndonjë koment për të bërë.

Vëllai më i ri i Flavio Bolsonaros, Eduardo Bolsonaro, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, kishte deklaruar para zgjedhjeve se humbja do të duhej të pasohej nga largimi i tij nga vendi.

“Nëse vëllai im nuk fiton, jam në favor që ai të largohet nga vendi”, kishte thënë Eduardo Bolsonaro gjatë një bisede me podkasterin Steven Crowder këtë muaj.

Burimi: Dukagjini