Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka investuar 1.7 milionë euro në infrastrukturën e Parkut Industrial në Viti, i cili ka një sipërfaqe prej 15.5 hektarësh.
Kusari-Lila ka njoftuar se ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe ekipin e tij, me të cilët ka diskutuar për gjendjen aktuale të parkut, progresin e arritur dhe hapat e nevojshëm për funksionalizimin e tij të plotë.
“Me një sipërfaqe prej 15.5 hektarësh, Parku Industrial në Viti është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës me 1.7 milionë euro investime në infrastrukturë, duke krijuar bazën për zhvillimin e bizneseve, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka shkruar Kusari-Lila.
Sipas saj, gjatë takimit janë përqendruar te hapat konkretë për funksionalizimin e parkut dhe krijimin e kushteve që bizneset të vendosen dhe të zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
“Puna për zhvillimin e parqeve industriale po vazhdon. Synimi ynë është që ato të shndërrohen në hapësira të prodhimit vendor, investimeve të reja dhe punësimit, duke promovuar njëkohësisht politika të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka theksuar Kusari-Lila.
Burimi: RTKLive
