Politikë e re, mendësi e vjetër – Gjenero paralajmëron për vazhdimësinë e nacionalizmit serb ndaj Kosovës te Lista Studentore

Politikë e re, mendësi e vjetër – Gjenero paralajmëron për vazhdimësinë e nacionalizmit serb ndaj Kosovës te Lista Studentore

Written by

in

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi mund të sjellë ndryshime në marrëdhëniet e këtij shteti me vendet e rajonit, por jo edhe në raportet me Kosovën.

Kështu vlerëson politologu kroat Davor Gjenero, i cili thotë se, edhe pas largimit të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, qëndrimet nacionaliste ndaj Kosovës mund të vazhdojnë.

Në një bisedë për Dukagjinin, Gjenero ka thënë se qëndrimi i Listës Studentore ndaj Kosovës përcaktohet nga dokumenti i saj politik, i njohur si “Memorandumi për Kosovën”, ndërsa ka paralajmëruar se ndryshimi politik në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes ndaj shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës.

“Qëndrimi i Listës Studentore ndaj çështjes së Kosovës, përcaktohet nga ‘Memorandumi’ i tyre. Vetë përzgjedhja e emërtimit të këtij dokumenti është domethënëse, pasi lidhet me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986, i cili i parapriu kthesës nacionaliste në ish-Jugosllavi”, ka deklaruar Gjenero.

Sipas tij, qasja ndaj shqiptarëve të Kosovës mbetet e rrënjosur në mendësinë politike serbe dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe në një pjesë të konsiderueshme të spektrit politik të mbledhur rreth Listës Studentore.

“Qasja çnjerëzuese ndaj shqiptarëve të Kosovës është e zakonshme në mendësinë politike të Serbisë dhe, për fat të keq, ajo mbizotëron edhe në një pjesë të rëndësishme të spektrit politik të mbledhur rreth Listës Studentore”, ka thënë ai.

“Kosova, përjashtimi i vetëm” nga ndryshimi i mundshëm rajonal

Duke folur për konceptin e të ashtuquajturës “Botë Serbe”, Gjenero ka vlerësuar se Lista Studentore dallon nga qasja e zgjerimit territorial të Serbisë përtej kufijve të shteteve fqinje, por se Kosova mbetet përjashtim në këtë qëndrim.

“Sa i përket raportit me ‘Botën Serbe’, situata është disi më e favorshme. Lista Studentore nuk e ndan konceptin e zgjerimit të Serbisë përtej kufijve të shteteve fqinje. Përjashtimi i vetëm është Kosova, lidhur me të cilën nuk ekziston gatishmëria për ta njohur pavarësinë”, ka deklaruar Gjenero.

Për politologun kroat, ky dallim është thelbësor për të kuptuar se deri ku mund të shkojë ndryshimi politik në Serbi.

Sipas tij, fitorja e Listës Studentore mund të ndikojë në marrëdhëniet e Beogradit me vendet e tjera të rajonit, por nuk jep arsye për të pritur përparim të ngjashëm në raportet me Prishtinën.

“Megjithëse, në shumë aspekte, ajo do ta vazhdojë politikën e administratës së mëparshme, veçanërisht sa i përket skepticizmit ndaj integrimit evropian dhe përpjekjeve për të ruajtur një ekuilibër në marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshimi më i madh që Lista Studentore mund të sjellë do të lidhet me marrëdhëniet rajonale. Në të njëjtën kohë, për fat të keq, vetëm Kosova nuk mund të presë ndonjë përparim të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Gjenero ka shtuar se marrëdhëniet e Serbisë me shtetet e tjera të rajonit mund të bëhen më pak konfrontuese.

“Marrëdhëniet e Beogradit me shtetet e tjera të rajonit mund të bëhen më të relaksuara, me më pak retorikë armiqësore dhe pa kërcënime të tërthorta ndaj sovranitetit të shteteve fqinje”, ka deklaruar Gjenero.

Mali i Zi mund të përfitojë, ndërsa Kroacia mund të ulë tensionet

Ndryshimi i pushtetit në Serbi, sipas Gjeneros, mund të krijojë kushte më të favorshme për Malin e Zi në procesin e integrimit evropian.

Ai ka vlerësuar se humbja e ndikimit të njerëzve të afërt me Vuçiqin, të cilët sipas tij e pengonin procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, mund t’i japë Podgoricës më shumë hapësirë veprimi në një fazë të rëndësishme të negociatave.

“Në këtë kuptim, ndryshimi i pushtetit në Serbi është lajmi më i mirë për Malin e Zi, pasi i zgjeron hapësirën e veprimit në një moment vendimtar të negociatave për anëtarësim në BE. Njerëzit kyç të Vuçiqit, të cilët e pengonin këtë proces nga brenda në Mal të Zi, e kanë humbur mbështetjen e tyre në Beograd”, ka thënë Gjenero.

Sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, ai ka përmendur përpjekjet e Milorad Dodikut, udhëheqësit të entitetit të Republikës Sërpska, për të krijuar lidhje me Listën Studentore.

“Sa i përket marrëdhënieve me Bosnjë-Hercegovinën, është e qartë se Milorad Dodiku, udhëheqësi autoritar i entitetit të Republikës Sërpska, tashmë ka filluar të kërkojë lidhje me Listën Studentore, ndonëse gjatë fushatës ua kishte ndaluar mbajtjen e tubimeve parazgjedhore në territorin e këtij entiteti”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, në raportet me Kroacinë, Gjenero ka vlerësuar se Milorad Pupovci, njëri prej përfaqësuesve kryesorë të komunitetit serb në këtë shtet, mund të luajë rol në uljen e tensioneve mes Zagrebit dhe Beogradit.

“Komuniteti kombëtar serb në Kroaci e ka pranuar konceptin e patriotizmit kushtetues dhe, si i tillë, ishte i papranueshëm për bashkëpunim me regjimin e Vuçiqit. Megjithatë, Milorad Pupovci, udhëheqësi kryesor i komunitetit serb në Kroaci, gëzon besimin e udhëheqjes së Listës Studentore dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, pas formimit të administratës së re në Beograd”, ka thënë Gjenero.

Lista Studentore premton dialog, por jo njohjen e Kosovës

Deklaratat e përfaqësuesve të Listës Studentore për Kosovën përputhen me vlerësimin e Gjeneros se ndryshimi politik në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Illija Sërdanoviq, i pari në listën zgjedhore të kësaj lëvizjeje, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i dialogut me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve është pjesë themelore e programit të tyre.

Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë e rishqyrtimit të marrëveshjeve të arritura nga pushtetet e mëparshme, për të vlerësuar nëse ato janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

“Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë kanë dakorduar në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Sërdanoviq.

Ndërkaq, Dejan Shoshkiq, profesor universitar dhe ish-guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë, i përmendur si kandidat i mundshëm për kryeministër, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë.

Në një intervistë për mediumin kroat “Index”, Shoshkiq është mbështetur në Kushtetutën e Serbisë dhe në interpretimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të argumentuar qëndrimin e tij.

“Korniza juridike në Serbi është plotësisht e qartë, Kushtetuta thotë se Kosova dhe Metohia është krahinë autonome brenda Serbisë. Nga ana tjetër, edhe dokumentet kryesore të kornizës juridike ndërkombëtare, si Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thonë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Shoshkiq.

Këto qëndrime përforcojnë vlerësimin e Gjeneros se, ndonëse Lista Studentore mund të sjellë ndryshime në mënyrën se si Serbia i trajton marrëdhëniet me disa prej fqinjëve të saj, Kosova mbetet përjashtimi kryesor.

Fitorja e kësaj lëvizjeje në zgjedhjet e 25 tetorit shënon rënien, prej mbi një dekade, të regjimit të Vuçiqit.

Burimi: Dukagjini