BMW po zhvillon gjeneratën e re të SUV-it sportiv X5 M, prototipi i kamufluar i të cilit është fotografuar gjatë testeve pranë pistës së Nürburgringut në Gjermani.
Modeli i ri pritet të prodhohet nga viti 2028 dhe, ndryshe nga paraardhësi, raportohet se do të ofrohet si me motor V8, ashtu edhe në version plotësisht elektrik.
Versioni elektrik mund të ketë katër motorë elektrikë me fuqi të kombinuar prej rreth 900 kuajfuqish, duke e pozicionuar atë në mesin e SUV-ëve elektrikë më të fuqishëm në segment.
Prototipi dallohet për parakolpët më agresivë, grilën më të gjerë karakteristike të BMW-së, kapakun e ridizajnuar të motorit dhe një spoiler të dyfishtë në pjesën e pasme.
Përmirësime priten edhe në frenat, pezullimin adaptiv dhe drejtimin, ndërsa kabina do të pajiset me ulëse sportive, elemente prej fibrash karboni dhe teknologjinë më të fundit të markës.
BMW ende nuk ka publikuar specifikimet zyrtare të X5 M të ri, ndaj fuqia, dizajni përfundimtar dhe detajet e versionit elektrik mbeten të pakonfirmuara. /Telegrafi/