Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar për dëmtimin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën “Remzi Hoxha”, pasi persona të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur mbeturina në një pusetë dhe më pas u kanë vënë zjarrin.
Sipas njoftimit të kompanisë, ky veprim ka shkaktuar rrjedhje të ujit, dëmtime të kyçjes dhe dëme të konsiderueshme në rrjetin e ujësjellësit.
KRU Bifurkacioni e ka cilësuar rastin si të papranueshëm, duke theksuar se dëmtimi i infrastrukturës publike shkakton humbje të ujit dhe shpenzime shtesë për riparime, të cilat ndikojnë te të gjithë qytetarët.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe kujdes ndaj pronës publike, duke rikujtuar se pusetat dhe rrjeti i ujësjellësit janë pjesë e infrastrukturës që shërben për të mirën e përbashkët.
“Ruajtja e ambientit dhe e infrastrukturës publike është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e KRU Bifurkacionit. /Telegrafi/