Pas raportimit të Telegrafit për gropat në Lakrishtë, nis sanimi dhe asfaltimi i tyre

Pas raportimit të Telegrafit për gropat në Lakrishtë, nis sanimi dhe asfaltimi i tyre

Written by

in

Pas raportimit të Telegrafit më 1 tetor për gjendjen e rrugëve në lagjen Lakrishtë të Prishtinës, ka filluar sanimi dhe asfaltimi i gropave në këtë zonë.

Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se punimet kanë nisur të mërkurën, ndërsa do të vazhdojnë gjatë gjithë javës edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë, përparësi do t’u jepet gropave që kërkojnë ndërhyrje urgjente, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe rritjes së sigurisë për pjesëmarrësit në trafik.

“Punimet do të vazhdojnë gjatë gjithë javës edhe në pjesë të tjera të Kryeqytetit, duke u dhënë përparësi gropave që kërkojnë ndërhyrje urgjente, për qarkullim më të lehtë dhe siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.

Telegrafi kishte raportuar më 1 tetor për vështirësitë me të cilat po përballeshin banorët e Lakrishtës gjatë qarkullimit me automjete, si pasojë e gropave dhe sipërfaqeve të paasfaltuara në disa segmente të rrugës.

Pas ankesave të lexuesve, ekipi i Telegrafit kishte dalë në terren dhe kishte evidentuar dëmtimet, të cilat paraqisnin pengesa për qarkullim dhe rrezik për dëmtimin e veturave.

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi i kishte drejtuar pyetje zyrtare Komunës së Prishtinës për gjendjen në terren, operatorin përgjegjës dhe afatin e sanimit, por deri në publikimin e raportimit të 1 tetorit nuk kishte pranuar përgjigje nga komuna. /Telegrafi/