
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar llogaridhënie urgjente nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Pejë.
Deliu ka ngritur shqetësimin për vonesat në raportimin e KPK-së para Komisionit për Legjislacion, duke theksuar se ishte arritur pajtimi që Këshilli të ftohej të martën, por sipas saj, as ftesa nuk ishte dërguar dhe as mbledhja nuk ishte mbajtur.
“Në cilën derë tjetër duhej të trokiste Arlinda që sot të mos dëgjonim arsyetime se kujt nuk i paska kërkuar ndihmë?”, ka shkruar Deliu në reagimin e saj në Facebook.
Ajo ka theksuar se, sipas raportimeve, kërkesat e Arlindës i ishin drejtuar edhe Këshillit Prokurorial.
“Pse po vonohet llogaridhënia?”, ka pyetur deputetja, duke kërkuar që KPK-ja të raportojë urgjentisht, me dokumente dhe përgjigje për çdo veprim dhe mosveprim lidhur me rastin.
Deliu ka theksuar se familja e Arlinda Zekajt meriton të dijë se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë institucionet për ta mbrojtur atë, transmeton Klankosova.tv.
“Arlinda kërkoi mbrojtje nga shteti. Familja e saj meriton ta dijë çfarë bëri shteti për të”, ka përfunduar ajo.