Përurohet Biblioteka “Nënë Tereza” në Luzern, mbi 1.100 tituj në shërbim të shqiptarëve në Zvicër

Përurohet Biblioteka “Nënë Tereza” në Luzern, mbi 1.100 tituj në shërbim të shqiptarëve në Zvicër

Written by

in

Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër ka përuruar zyrtarisht Bibliotekën “Nënë Tereza” në Luzern, në kuadër të Ditës së Dyerve të Hapura, duke krijuar një hapësirë të re për promovimin e librit shqip, dijes dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.

Në aktivitet morën pjesë bashkatdhetarë, veprimtarë dhe përfaqësues të kulturës e letërsisë.

Programi u moderua nga Fatima Kalimashi, ndërsa kryetari i shoqatës, Nue Zalli, prezantoi rrugëtimin e organizatës dhe rëndësinë e zgjerimit të veprimtarisë së saj përtej misionit humanitar.

Ai theksoi se shoqatat duhet të vazhdojnë të zhvillohen dhe t’u përgjigjen nevojave të komunitetit, duke nënvizuar se “një shoqatë nuk mund të mbështetet vetëm në të kaluarën e saj”.

Historikun e krijimit të bibliotekës e prezantoi Xhafer Zeqiri, duke përshkruar procesin që nisi me ndryshimet organizative të vitit 2020 dhe që çoi në themelimin e kësaj hapësire kulturore.

Falë angazhimit të anëtarëve dhe vullnetarëve, biblioteka tashmë ka një fond prej më shumë se 1.100 titujsh, të siguruar përmes dhurimeve, si dhe një platformë digjitale për katalogimin dhe menaxhimin e librave.

Përgjegjësi i sektorit të kulturës, Bardhec Berisha, prezantoi vizionin për zhvillimin e bibliotekës si një qendër të leximit, edukimit dhe aktiviteteve kulturore.

Një fokus i veçantë do t’u kushtohet fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë që rriten në Zvicër, me synimin që përmes librit të forcojnë njohjen e gjuhës amtare, letërsisë, historisë dhe identitetit kombëtar.

Hapja zyrtare u bë nga Xheloc Deda, ndërsa gjatë aktivitetit u prezantua edhe platforma digjitale Lexoshqip.ch, e projektuar nga aktivisti Martin Musaj, e cila synon të lehtësojë qasjen në librin shqip dhe të zgjerojë mundësitë për lexuesit në diasporë.

Veprimtaria u shoqërua me interpretime të muzikës shqiptare nga këngëtarja Gentjana Tafili, e shoqëruar nga instrumentisti Rafael Lishi.

Biblioteka “Nënë Tereza” ndodhet në adresën Luzernerstrasse 88, 6014 Luzern, dhe është e hapur të mërkurën e dytë dhe të katërt të çdo muaji, nga ora 18:30 deri në 20:30.

Përurimi i saj shënon një hap të rëndësishëm për jetën kulturore të shqiptarëve në Zvicër, duke krijuar mundësi të reja për lexim, shkëmbim kulturor dhe ruajtjen e gjuhës e trashëgimisë shqiptare ndër breza./Telegrafi/