Përurohet objekti i ri i Zyrës së Punësimit në Gjakovë, investim 200 mijë euro

Përurohet objekti i ri i Zyrës së Punësimit në Gjakovë, investim 200 mijë euro

Written by

in

Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Albin Kurti tha se objekti i ri ka një sipërfaqe prej rreth 506 metrash katrorë dhe është ndërtuar sipas standardeve evropiane, duke mundësuar qasje edhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Ky objekt i ri, i cili ka një ndriçim të përshtatshëm, pastaj punimet janë cilësore, ka si sipërfaqe diku 506 metra katrorë dhe është projektuar e ndërtuar sipas standardeve evropiane për të evituar çfarëdo barriere për qytetarët”, tha Kurti.

Ai theksoi se zyra e re synon të shndërrohet në një qendër aktive të tregut të punës, duke ofruar këshillim në karrierë, trajnime profesionale dhe ndërmjetësim të drejtpërdrejtë mes punëkërkuesve dhe bizneseve.

Sipas Kurtit, nga janari deri në shtator të vitit 2026, përmes ndërmjetësimit të rregullt në punësim janë punësuar 2,285 persona, prej tyre 1,274 gra dhe 1,011 burra.

Ndërkaq, përmes masave aktive të tregut të punës janë përfshirë 1,698 persona, përfshirë 1,080 gra dhe 618 burra.

Kurti bëri të ditur se që nga fillimi i vitit 2025, Zyra e Punësimit në Gjakovë ka realizuar 340 ndërmjetësime në punësim të rregullt dhe 116 përmes masave aktive të tregut të punës.

Ai vlerësoi gjithashtu afërsinë e objektit të ri me Qendrën e Aftësimit Profesional në Gjakovë, e cila ofron trajnime dhe certifikime në 11 programe të ndryshme profesionale.

Në anën tjetër, ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se synimi është transformimi i Agjencisë së Punësimit nga një institucion administrativ në një agjenci më aktive në shërbim të qytetarëve.

“Qëllimi ynë primar është transformimi i Agjencisë së Punësimit nga një agjenci administrative në një agjenci proaktive”, deklaroi Hoti.

Ai theksoi se në zyrat e punësimit do të ofrohen këshillime, plane individuale për personat e papunë dhe orientim drejt trajnimeve, aftësimit profesional, praktikave dhe ndërmjetësimit në punësim.

Hoti shtoi se, krahas modernizimit të infrastrukturës, rëndësi të veçantë kanë edhe rritja e kapaciteteve njerëzore dhe digjitalizimi i shërbimeve të Agjencisë së Punësimit.

Burimi: RTKLive