FFK-ja merr vendimin për ndeshjen Vushtrria-Ballkani

FFK-ja merr vendimin për ndeshjen Vushtrria-Ballkani

Written by

in

Ballkani e ka fituar me rezultat zyrtar 3-0 ndeshjen ndaj Vushtrrisë, e cila nuk u zhvillua për shkak të bojkotit të futbollistëve vendas.

Vendimi është marrë nga Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe është publikuar të mërkurën, duke i dhënë fund çështjes së ndeshjes së vlefshme për xhiron e 11-të të Superligës së Kosovës.

Futbollistët e Vushtrrisë refuzuan të dilnin në fushë për shkak të obligimeve të papërmbushura nga kryesia e klubit.

Për pasojë, dueli ndaj Ballkanit të Suharekës, që ishte paraparë të zhvillohej në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nuk u zhvillua.

Në vendimin e publikuar, Komisioni i Garave ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të gjendjes faktike dhe rregullave që përcaktojnë zhvillimin e rregullt të garave, janë plotësuar kushtet që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar.

“Duke pasur parasysh gjendjen faktike të konstatuar dhe detyrimin për zbatimin e rregullave që përcaktojnë zhvillimin e rregullt të garave, Komisioni ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet për regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar”, thuhet në vendim.

Me këto tri pikë, Ballkani shkon në kuotën e 16 pikëve pas 11 ndeshjeve të zhvilluara.

Në anën tjetër, Vushtrria mbetet në fund të tabelës me vetëm tri pikë, në një situatë të vështirë sportive dhe institucionale./Telegrafi/