Trump lehtëson rregullat për emetimet e metanit në industrinë amerikane të naftës dhe gazit

Trump lehtëson rregullat për emetimet e metanit në industrinë amerikane të naftës dhe gazit

Written by

in

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar planin për lehtësimin e ndjeshëm të kufizimeve mbi emetimet e metanit nga prodhuesit e naftës dhe gazit, duke synuar uljen e kostove të energjisë për konsumatorët dhe kompanitë.

Vendimi u bë i ditur të martën, gjatë një tubimi në Lubbock të Teksasit, në një kohë kur rritja e çmimeve të naftës, e lidhur me luftën e SHBA-së kundër Iranit, po shton pakënaqësinë e votuesve përpara zgjedhjeve të mesmandatit të javës së ardhshme.

Trump tha se po i jep fund rregullave të vendosura gjatë administratës së ish-presidentit demokrat Joe Biden, të cilat synonin të kufizonin çlirimin e metanit, një gaz serrë me ndikim të fuqishëm në ngrohjen globale.

“Sonte po i jap zyrtarisht fund rregulloreve të kushtueshme dhe të panevojshme të Bidenit për metanin, për t’u kursyer konsumatorëve dhe prodhuesve të energjisë 45 miliardë dollarë”, deklaroi Trump para mbështetësve të tij.

Ai argumentoi se lehtësimi i kufizimeve do të mundësojë shfrytëzimin e sasive të mëdha të gazit natyror në Teksas, shtetin më të madh prodhues të lëndëve djegëse fosile në SHBA, transmeton Telegrafi.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) kishte vlerësuar më herët këtë muaj se ndryshimet mund të sjellin kursime prej 45 miliardë dollarësh, rreth 39 miliardë euro, por nuk publikoi një ndarje të detajuar të kësaj shume.

Administratori i EPA-s, Lee Zeldin, tha se amerikanët duhet të kenë mundësi të përballojnë ngrohjen e shtëpive gjatë dimrit dhe karburantin për të shkuar në punë. Sipas tij, kjo bëhet më e vështirë kur kompanitë që prodhojnë energji përballen me kufizime që administrata i konsideron të panevojshme.

Metani është përbërësi kryesor i gazit natyror dhe kontribuon ndjeshëm në ngrohjen globale. Ai vlerësohet si shkaktari i dytë më i madh i këtij fenomeni pas dioksidit të karbonit, duke qenë përgjegjës për rreth një të tretën e rritjes së temperaturave globale që nga periudha para industrializimit, ose afërsisht 0.5 gradë Celsius.

Megjithëse metani e ruan nxehtësinë në atmosferë shumë më fuqishëm se CO₂, ai qëndron aty për rreth shtatë deri në 12 vjet, ndërsa dioksidi i karbonit mund të mbetet për qindra vjet.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Shtetet e Bashkuara janë burimi më i madh në botë i emetimeve të metanit nga prodhimi i naftës dhe gazit, të ndjekura nga Rusia. /Telegrafi/