Kamberi: Jemi të hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkojmë dialog serioz

Kamberi: Jemi të hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkojmë dialog serioz

Written by

in

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, nëse ekziston vullneti për një dialog serioz.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë që të drejtat dhe kërkesat e tyre të realizohen.

Ai ka thënë se prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe trajtimi i çështjeve urgjente që prekin shqiptarët, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin në institucione dhe arsimin.

Kamberi i ka bërë thirrje Listës Studentore që çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta përfshijë në vizionin e saj për ndryshimin e Serbisë.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie normale përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Lista Studentore ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit.

Burimi: Dukagjini