Shqiptari Martin Marku betohet si këshilltar komunal në Austri: Do të jem në shërbim të shqiptarëve

Shqiptari Martin Marku betohet si këshilltar komunal në Austri: Do të jem në shërbim të shqiptarëve

Written by

in

Martin Marku, i cili në muajin korrik u zgjodh anëtar i Këshillit Komunal të Grazit në Austri, javën e kaluar bëri betimin, duke zyrtarizuar kështu marrjen e detyrës dhe duke u zotuar për përkushtim e përgjegjësi ndaj qytetarëve gjatë mandatit pesëvjeçar.

Marku ka marrë përsipër një mandat pesëvjeçar, gjatë të cilit synon të përfaqësojë komunitetin shqiptar dhe të angazhohet për çështjet që prekin qytetarët.

Në një intervistë për Telegrafin, Marku ka folur për ndjenjat pas betimit, planet për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Graz, si dhe mesazhin që ka për bashkatdhetarët dhe të rinjtë që synojnë të angazhohen në politikë.

Duke folur për momentin e betimit, Marku është shprehur krenar që mund ta përfaqësojë komunitetin shqiptar në një qytet ku jetojnë 157 komunitete të ndryshme.

“Me thënë të drejtën, shumë mirë dhe krenar në këtë drejtim, që aktualisht e kemi dikë i cili mundet me përfaqësu komunitetin shqiptar, edhe pse Grazi i ka 157 komunitete të ndryshme. U ndjeva shumë i kënaqur, pasi që me kryetaren aktuale kam pasur edhe projekte të përbashkëta të mëparshme, kam pasur shumë punë. Ka qenë përkrahëse e jona edhe në prezencë të të gjithëve më ka falënderuar, aty e ndjeva veten shumë mirë”, ka thënë Marku për Telegrafin.

Sa u përket planeve për pesë vitet e ardhshme, Marku ka theksuar se synon t’i përfaqësojë shqiptarët në mënyrë dinjitoze, duke qenë i gatshëm t’u shërbejë atyre gjatë gjithë mandatit të tij.

“Unë mendoj se në mënyrë dinjitoze kam me i përfaqësu, në ato mundësitë e mia edhe kapacitetet të cilat i kam si këshilltar bashkie. Është normale se mua komuniteti shqiptar më ka votu, për komunitetin shqiptar duhet me qenë i gatshëm këto pesë vitet në vijim, shërbëtor”, ka deklaruar ai.

Në mesazhin e tij për shqiptarët që jetojnë në Austri, veçanërisht për të rinjtë, Marku ka vënë në pah nevojën për më shumë unitet brenda komunitetit. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë të lindur apo të rritur në Austri në politikë, biznes dhe fusha të tjera të shoqërisë.

“Si zakonisht, ne gjithmonë e kemi të njëjtin problem, problemi ynë është me vetveten, së pari. Unë kisha kërku nga komuniteti shqiptar me qenë më unik, më të bashkuar edhe rininë, sidomos fëmijët që kanë ardhë të mitur apo kanë lindur këtu, me i kyç pak a shumë më tepër në inteligjencë, në politikë, në biznese e këto gjëra. Jo me qenë gjithmonë si fuqi punëtore”, ka përfunduar Marku/Telegrafi/