
Ka shkuar në 68 numri i personave që kanë humbur jetën nga përplasja e dy trenave në Spanjë, aksident ky që ka ndodhur të mërkurën.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë trupa të tjerë mes rrënojave, pas këtij aksidenti të dytë fatal hekurudhor në Spanjë këtë vit, klankosova.tv
Kryeministri Pedro Sanchez, në një deklaratë për media pranë vendit të ngjarjes në jug të Madridit, u shpreh se “e gjithë Spanja” është në zi.
Ndërkohë, Partia Popullore, në opozitë, njoftoi anulimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës për ditën e sotme, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Sipas Reuters, Sanchez deklaroi se kjo “tragjedi e tmerrshme” do të hetohet dhe u zotua se do të adresohen të gjitha mangësitë që mund të dalin në dritë, duke shtuar se shkaqet e dy aksidenteve duket se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
“Nëse duhet të forcojmë më tej sigurinë për të rikthyer besimin te sistemi ynë hekurudhor me shpejtësi të lartë, do ta bëjmë këtë; sepse është e papranueshme për një vend si Spanja që të përballet me dy aksidente të trenave me shpejtësi të lartë brenda të njëjtit vit”, tha Sanchez.