Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përmes një deklarate, Konjufca tha se mbledhja u mbajt në vijim të deklaratës së Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit dhe vendimit të Qeverisë të 14 tetorit, të cilat, sipas tij, shprehin vullnetin për kundërshtimin e aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së dhe mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare.
Ai bëri të ditur se gjatë mbledhjes u diskutuan drejtimet kryesore të strategjisë, u caktuan grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe u përcaktua plani i përgjithshëm i punës.
“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Konjufca.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të angazhohen edhe në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e asaj që e cilësoi si të vërtetën e luftës çlirimtare, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.
Konjufca theksoi se UÇK-ja qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës, duke vlerësuar se në këtë proces institucionet dhe forcat politike kanë përgjegjësi të qëndrojnë të bashkuara, përtej dallimeve politike./Telegrafi.