Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar për pajisjen e FSK-së me automjete të reja për transport dhe mbështetje logjistike.
Sipas Kurtit, 12 kamionët e rinj Unimog i janë shtuar flotës prej 15 kamionësh Rheinmetall, ndërsa ditë më parë kanë arritur edhe tetë kamionë të tjerë KX 8×8, të blerë nga kompania Rheinmetall. Me këto prurje, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive arrin në 35 automjete.
“Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shpjeguar se kamionët Unimog 5T janë projektuar për të mundësuar lëvizjen në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, ndërsa kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 rrisin kapacitetet transportuese të FSK-së dhe forcojnë mbështetjen logjistike.
Kurti ka theksuar se modernizimi i një force ushtarake nuk përfshin vetëm armatimin dhe pajisjet luftarake, por edhe kapacitetet për lëvizje, furnizim dhe operim efikas.
“Këto investime janë pjesë e angazhimit tonë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në kuadër të zgjerimit të personelit të FSK-së. Ai ka thënë se të premten e kaluar u betuan 515 rekrutë të rinj, ndërsa në fillim të kësaj jave nisën trajnimin edhe 209 rekrutë të tjerë.
Burimi: RTKLive
