PDK paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave nga dhuna

PDK paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave nga dhuna

Written by

in

PDK paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave nga dhuna

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur tri kërkesa për forcimin e mbrojtjes së grave nga dhuna, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar rivlerësim urgjent të rasteve me rrezik të lartë, specializim të strukturave përgjegjëse dhe reforma ligjore e buxhetore.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se rasti i Arlinda Zekajt dëshmon dështimin e institucioneve për të garantuar sigurinë dhe jetën e grave.

Ajo bëri të ditur se të martën kishte kërkuar që drejtori i Policisë së Kosovës të ftohej për raportim në Komisionin për Siguri lidhur me këtë rast, por, sipas saj, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin votuar kundër propozimit.

Në emër të PDK-së, Musliu kërkoi rivlerësimin e menjëhershëm të rasteve që paraqesin rrezik të lartë, si dhe bashkërendim më të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale, me qëllim identifikimin dhe mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.

“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, ka thënë ajo.

Si masë të dytë, deputetja kërkoi specializimin e strukturave përgjegjëse dhe forcimin e llogaridhënies institucionale. Ajo propozoi krijimin e ekipeve të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje.

Musliu kërkoi gjithashtu shkarkimin dhe ndjekjen penale të çdo zyrtari publik që shpërfill paralajmërimet për dhunë, duke përfshirë zyrtarët policorë, prokurorët, gjyqtarët dhe punonjësit socialë.

“Neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim”.

Kërkesa e tretë e PDK-së lidhet me reformat ligjore dhe mbështetjen buxhetore. Musliu kërkoi rishikimin e dënimeve për vrasjet me motive gjinore, si dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret që ofrojnë mbrojtje për viktimat e dhunës.

“Një grua që largohet nga dhuna nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet sigurisë dhe mbijetesës ekonomike”.

Musliu theksoi se përmbushja e këtyre kërkesave është detyrim kushtetues i institucioneve ndaj qytetarëve. Ajo paralajmëroi se PDK-ja do ta përsërisë kërkesën për raportimin e drejtorit të Policisë dhe do të këmbëngulë që rasti të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë, me afate të përcaktuara dhe rezultate konkrete.

Në fund, deputetja bëri thirrje për luftimin e paragjykimeve që minimizojnë dhunën ndaj grave dhe të mendësive që e trajtojnë gruan si pronë, duke kërkuar angazhim të përbashkët të shoqërisë për parandalimin e dhunës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali