Musliu pyet për pagën e 13-të për punëtorët e RTK-së, Murati: Nuk paguhen nga Thesari

Musliu pyet për pagën e 13-të për punëtorët e RTK-së, Murati: Nuk paguhen nga Thesari

Written by

in

Paga e 13-të për punëtorët e RTK-së është diskutuar gjatë pyetjeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati sqarime për mospagesën e saj, duke iu referuar shqetësimeve të sindikatës së punëtorëve të transmetuesit publik. Ajo ka pyetur edhe për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria për trajtim të barabartë me punonjësit e tjerë të sektorit publik.

“Duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga sindikata e punëtorëve të RTK-së lidhur me mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së, pyetja ime për Muratin është pse punëtorët e RTK-së nuk e kanë realizuar pagën e 13-të dhe çfarë veprimesh konkrete do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të siguruar trajtim të barabartë të tyre me punëtorët e tjerë të sektorit publik”, pyeti Musliu.

Në përgjigje, Murati ka thënë se përgjegjësia për pagesat i takon RTK-së, ndërsa financimi i transmetuesit publik rregullohet nga Kuvendi.

“Çështja e buxhetit apo pagesa e punëtorëve të RTK-së i takon Radio Televizionit të Kosovës. Kështu është entitet i veçantë juridik, nuk është pjesë e ndarjeve buxhetore apo pjesë e Ligjit të Buxhetit të Shtetit. Për më tepër, ligji e parasheh që Kuvendi e rregullon financimin e transmetuesit publik, në këtë rast RTK-së. Dhe kësisoj i takon Kuvendit të Kosovës ta caktojë buxhetin”, theksoi Murati.

Ministri ka shtuar se vendimi i Qeverisë për pagën e 13-të përfshin punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit. Sipas tij, stafi i RTK-së nuk është pjesë e listës së pagave që ekzekutohen nga Thesari.

“Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës janë punëtorë të RTK-së, të një entiteti tjetër. Ndërkaq, punëtorët e sektorit publik apo ata që quhen pagëmarrës nga buxheti i shtetit janë tjetër kategori. Vendimi i marrë në Qeveri parasheh pagën e 13-të për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Ndërsa, punëtorët e RTK-së nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohen nga Thesari, sepse nuk janë organizatë buxhetore”, tha Murati.

Gjatë seancës, deputetja deputetja e PDK-së Ariana Shoshi Musliu ka kritikuar mungesën e kryediplomatit kosovar Glauk Konjufcës, të cilit tha se ia kishte adresuar për herë të 3-të të njëjtën pyetje. Ajo ka bërë të ditur se njëra prej pyetjeve lidhet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Nuk është hera e parë, është hera e tretë që unë ia adresoj Glauk Konjufcës pyetjen e njëjtë dhe nuk është në seancë me u përgjigjur. E ka për detyrë, e ka për obligim. Pyetja e parë që ia kam adresuar ka të bëjë me anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Shoshi. /kp/