
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik do të paguhet në fillim të vitit 2027, pasi kjo pagesë është e paraparë me Ligjin e Buxhetit.
Murati ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se komunat janë dëmtuar nga rishikimi i buxhetit, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve buxhetore u dedikohet atyre, shkruan IndeksOnline.
Sipas tij, rreth gjysma e personelit që paguhet nga buxheti i shtetit punon në komuna, të cilave u transferohen mjetet për mbulimin e pagës së 13-të dhe përvojës së punës.
Sa i përket pagesës shtesë, ministri tha se ajo është paraparë në Ligjin e Buxhetit tash e tri vjet dhe se pagesa për vitin 2026 ishte planifikuar të bëhej në fillim të vitit.
Murati sqaroi se veprimet aktuale kanë të bëjnë me mbulimin e hershëm të hendekut buxhetor, ndërsa përsëriti se paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027.
Ai shtoi se, nëse miratohet rishikimi i buxhetit, punonjësit do të përfitojnë edhe pagesën retroaktive të shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, për periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave deri në fund të vitit 2025.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali