AGK-ja shpreh shqetësim që Apeli e mbylli për media gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt

AGK-ja shpreh shqetësim që Apeli e mbylli për media gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt

Written by

in

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK),  ka shprehur shqetësim për vendimin e Gjykatës së Apelit që seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt të mbahet e mbyllur për media.

Në reagimin e saj, AGK-ja ka thënë se Gjykata e Apelit nuk ka dhënë asnjë arsye apo sqarim për këtë vendim, të cilin e konsideron kufizim të paarsyeshëm të lirisë së medias.

Sipas AGK-së, ky vendim cenon mundësinë e mediave për të raportuar mbi mënyrën se si gjykatat i trajtojnë rastet e femicidit.

Asociacioni e ka cilësuar vendimin si censurues, duke theksuar se ai vjen vetëm disa ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, rast në të cilin mediat dhe gazetarët kanë dokumentuar dështimet e institucioneve shtetërore për ta mbrojtur viktimën.

AGK-ja ka vlerësuar se nuk ekziston ndonjë rrezik ligjor që do ta justifikonte këtë kufizim dhe se vendimi i Gjykatës së Apelit pamundëson informimin e publikut për mënyrën se si trajtohen rastet e tilla nga drejtësia.

AGK-ja i ka bërë thirrje Gjykatës së Apelit që në raste të tilla të garantojë lirinë e medias dhe jo të kufizojë paarsyeshëm të drejtën për qasje në informacion.

Burimi: Dukagjini