Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 12 kamionë ushtarakë të markës Unimog-Mercedes-Benz, me qëllim të forcimit të kapaciteteve transportuese dhe logjistike.
Në ceremoninë e pranimit morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe përfaqësuesi i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, Daniel Zittel.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, kamionët e rinj kanë konfigurim 4×4 dhe kapacitet ngarkese deri në pesë tonë. Ata do të përdoren për transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale.
Me pranimin e këtyre 12 kamionëve dhe tetë kamionëve Rheinmetall të pranuar gjatë kësaj jave, numri i automjeteve nga këto dy kategori arrin në 35.
Ministria ka bërë të ditur se Gjermania po e mbështet FSK-në përmes blerjeve dhe donacioneve. Gjatë vitit 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania.
Ndërkaq, për vitin 2027 planifikohet pranimi i dy kamionëve të tjerë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionëve zjarrfikës Unimog-Mercedes-Benz. Po ashtu, sipas planifikimeve, gjatë të njëjtit vit pritet të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka falënderuar kryeministrin Kurti, komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e kompanive prodhuese për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ministria e Mbrojtjes ka ritheksuar se do të vazhdojë investimet në pajisje, infrastrukturë dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, me synimin e ndërtimit të një force profesionale dhe moderne, të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com