Një vajzë shqiptare 17-vjeçare, që jeton në provincën e Raguzës në Itali, është vendosur në një qendër rezidenciale për të mitur, pas dyshimeve se ka shpërndarë propagandë të ISIS-it në rrjetet sociale dhe është vetëtrajnuar për aktivitete terroriste.
Vendimi për vendosjen e saj në këtë qendër është marrë nga Gjykata për të Mitur e Katanias dhe është zbatuar nga Policia e Shtetit në Raguzë.
Sipas autoriteteve italiane, e mitura dyshohet se ka publikuar në internet video propagandistike që shfaqnin ekzekutime të të burgosurve, materiale që mbështesnin ISIS-in, si dhe udhëzues për vetë-trajnim dhe prodhimin e mjeteve shpërthyese në kushte shtëpie, raporton agjencia e lajmeve Ansa.
Ajo dyshohet gjithashtu se ka komunikuar në internet me persona që pretendonin se ishin pjesë e ISIS-it, si dhe me individë të tjerë që promovonin aktivitete terroriste.
Hetimet nisën për propagandë terroriste
Fillimisht, vajza ishte nën hetim për përkrahje të terrorizmit. Megjithatë, pas monitorimit të rrjeteve sociale dhe kontrollit të telefonit të saj, hetuesit ngritën dyshime edhe për vetë-trajnim me qëllim përfshirjen në aktivitete terroriste, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimit, 17-vjeçarja vjen nga një familje shqiptare fermerësh, e cila është e integruar mirë në komunitetin ku jeton.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë. Policia italiane po përpiqet të identifikojë personat me të cilët vajza dyshohet se ka komunikuar në internet.
Rasti është ende nën hetim dhe dyshimet ndaj të miturës nuk përbëjnë vendim përfundimtar për fajësinë e saj./Telegrafi/