LEX | E vrau Beqir Morinën me kallashnikov para syve të gruas dhe vajzës 8-vjeçare – Aziz Gashi dënohet me 30 vjet burgim

LEX | E vrau Beqir Morinën me kallashnikov para syve të gruas dhe vajzës 8-vjeçare – Aziz Gashi dënohet me 30 vjet burgim

Written by

in

LEX | E vrau Beqir Morinën me kallashnikov para syve të gruas dhe vajzës 8-vjeçare – Aziz Gashi dënohet me 30 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Aziz Gashit, duke e dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e Beqir Morinës, e cila kishte ndodhur në shtator të vitit 2023, në lagjen “Arbana” të Prizrenit.

Sipas njoftimit të gjykatës, i akuzuari e kishte privuar nga jeta viktimën duke e qëlluar me armë automatike të tipit kallashnikov, në kohën kur ai ndodhej në shoqërinë e familjes së tij.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 3 shtator 2023, kur Beqir Morina ishte qëlluar me armë zjarri në prani të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare.

Sipas përshkrimit të ngjarjes, Gashi fillimisht e kishte qëlluar viktimën në trup, ndërsa më pas e kishte goditur me plumb edhe në kokë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Për këtë krim, Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar Aziz Gashin me 30 vjet burgim.

Përveç veprës penale të vrasjes, ai është shpallur fajtor edhe për dy vepra të tjera penale, përkatësisht mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që ndaj të akuzuarit të vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

“Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin A.G. e dënon me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët se brenda afatit ligjor do ta pranojnë vendimin e plotë, në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kujtojmë se Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për këtë vrasje në shtator të vitit 2023, duke zbuluar identitetin e të dyshuarit, Aziz Gashi, si dhe detaje nga ngjarja që kishte tronditur Prizrenin.

Rasti kishte marrë vëmendje të madhe publike për shkak të mënyrës së kryerjes së vrasjes dhe faktit se viktima ishte qëlluar në prani të familjarëve të tij.

Aktgjykimi i shpallur sot, më 29 tetor 2026, është i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese sipas afateve ligjore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali