Kompania në San Francisko ofron 20 dollarë në orë për të shëtitur qen robotikë

Kompania në San Francisko ofron 20 dollarë në orë për të shëtitur qen robotikë

Written by

in

Një kompani teknologjike në San Francisko ka publikuar një ofertë pune që ofron 20 dollarë në orë për personat që janë të gatshëm të shëtisin qen robotikë për katër deri në gjashtë orë në ditë.

Kompania Dimensional e publikoi fillimisht njoftimin në grupin “Bay Area Jobs” në Facebook, por më pas e fshiu atë. Sipas ofertës, të punësuarit do të duhej t’i shëtisnin qentë robotikë, të pajisur me sisteme kompjuterike, në hapësira publike të qytetit për të paktën katër orë.

Kandidatët duhej të ishin të aftë të transportonin në mënyrë të sigurt pajisje me peshë rreth 15 kilogramë. Në rast se ndonjëri prej robotëve do të pësonte defekt gjatë shëtitjes, punonjësit do të duhej ta bartnin atë deri në adresën e kompanisë, e cila ndodhet në lagjen Dogpatch të San Franciskos.

Themeluesi i Dimensional, Stash Pomichter, tha se kompania po punon në zhvillimin e një sistemi operativ me kod të hapur, që do t’u mundësonte robotëve të kryenin punë fizike të rënda, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, testimet fillestare kanë treguar se sistemet e inteligjencës artificiale nuk janë ende aq efektive sa njerëzit në kontrollimin e robotëve. Për këtë arsye, shëtitjet me ndihmën e operatorëve njerëzorë synojnë mbledhjen e më shumë të dhënave për përmirësimin e teknologjisë.

“Eksperimenti ynë me shëtitjen e qenve tregoi se agjentët ende janë shumë të dobët në kontrollimin e pajisjeve fizike. Njerëzit ende duhet të jenë pjesë e procesit”, deklaroi Pomichter për gazetën The New York Times.

Qentë robotikë të kompanisë janë blerë nga prodhuesi kinez Unitree, me një çmim prej 2 mijë dollarësh për njësi.

Eksperimenti tregon se, pavarësisht përparimit të inteligjencës artificiale, ndërhyrja njerëzore mbetet e domosdoshme për funksionimin dhe kontrollimin e sigurt të robotëve në mjedise reale. /Telegrafi/