“M’u duk sikur m’u shemb gjithçka” – Saranda Jakupi rrëfen momentin kur mësoi se kishte kancer të gjirit

“M'u duk sikur m'u shemb gjithçka” – Saranda Jakupi rrëfen momentin kur mësoi se kishte kancer të gjirit

Written by

in

Një diagnozë që ia ndryshoi jetën dhe një moment që nuk do ta harrojë kurrë. Saranda Jakupi, e cila prej më shumë se gjashtë vjetësh po përballet me kancerin e gjirit, ka rrëfyer emocionet dhe tronditjen që përjetoi kur mjeku i komunikoi se ishte diagnostikuar me këtë sëmundje.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”, Jakupi ka treguar se gjithçka nisi me disa shqetësime në gji, të cilat fillimisht nuk i kishte konsideruar si shenja të një sëmundjeje serioze.

Pas ekzaminimeve mjekësore dhe biopsisë, ajo u përball me lajmin që do t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës.

Saranda kujton se në momentin kur hyri në ordinancë për të marrë rezultatet, nuk kishte njohuri të mjaftueshme për sëmundjen dhe nuk e priste një diagnozë të tillë.

Ajo tregon se mjeku, pasi lexoi rezultatet, i shpjegoi se gjendja kërkonte ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale.

“Sa më shpejt duhet të hysh në operim”, kujton Jakupi t’i ketë thënë mjeku.

Megjithatë, momenti më i vështirë për të ishte kur dëgjoi drejtpërdrejt diagnozën.

“Ti je diagnostikuar me karcinomë të gjirit, kancer”, rrëfen ajo fjalët që ia komunikoi mjeku.

Saranda pranon se reagimi i saj i parë ishte mospranimi i realitetit me të cilin po përballej.

“Nuk dojsha me i pranu ato. M’u duk që m’u shemb krejt ajo ndërtesë”, shprehet ajo, duke përshkruar tronditjen emocionale që përjetoi.

Për të, diagnoza nuk nënkuptonte vetëm fillimin e një trajtimi të vështirë mjekësor, por edhe përballjen me frikën, pasigurinë dhe shqetësimin për familjen.

Nga ai moment, jeta e saj mori një drejtim tjetër, me ndërhyrje kirurgjikale, trajtime onkologjike dhe sfida të vazhdueshme fizike e emocionale.

Gjatë intervistës, Jakupi ka treguar se deri më tani i është nënshtruar nëntë operimeve, ndërsa vazhdon të marrë trajtim për sëmundjen.

Intervistën e plotë me Saranda Jakupin mund ta ndiqni në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, në platformat e Telegrafit.

– YouTube www.youtube.com