
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konstatuar dështime në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra katër ditë më parë në Vitomiricë të Pejës, pasi Policia e Kosovës nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit, ndërsa urdhri i dytë ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë.
Zekaj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj.
Gjetjet preliminare të IPK-së tregojnë se urdhri i dytë mbrojtës, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit, i cili paraprakisht kishte pranuar informatë nga vetë Zekaj.
Po ashtu, IPK-ja ka konstatuar se zinxhiri komandues policor nuk e kishte trajtuar një email të 23 tetorit, përmes të cilit një hetues policor kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë.
Në këtë email, hetuesi kishte rekomanduar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë.
Sipas IPK-së, dështimet përfshijnë trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Përgjegjësitë e identifikuara lidhen me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin në Vitomiricë, si dhe njësitë hetimore në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.
Në lidhje me këto gjetje, gjatë ditës së sotme janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, me rekomandim të IPK-së.
“Janë suspenduar u.d. drejtori rajonal në DRP-Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, u.d. shefi i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia i kishte trajtuar raportimet e të ndjerës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali