
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u karakterizua nga debatet mes pozitës dhe opozitës, kritikat për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe përplasjet rreth ndryshimeve buxhetore për vitin 2026.
Pavarësisht kundërshtimeve, deputetët e miratuan Byronë në lexim të dytë me 66 vota, përfshirë edhe vota nga opozita.
Nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili ngriti shqetësimin se mekanizmi mund të përdoret për shantazh politik, ndërsa nga PDK-ja, Përparim Gruda kërkoi shpjegime se përse nuk po mbështetej asnjë nga amendamentet e propozuara prej tyre.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet buxhetore për vitin 2026, por jo pa kritika.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, pretendoi se rishikimi synon të mbulojë vendimet e paligjshme të marra në fillim të vitit, ndërsa deputetja Teuta Haxhiu kritikoi ministrin, duke e cilësuar veprimin e tij si paaftësi dhe dinakëri në dëm të komunave.
Përveç këtyre çështjeve, deputetët diskutuan edhe për fillimin e punës së grupit punues për hartimin e strategjisë lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Krejt çka ndodhi në këtë seancë, mund ta ndiqni në kronikën e përgatitur nga gazetarja, Qëndresa Bellagoshi.