
Dy shtetas shqiptarë, të dy të moshës 51-vjeçare, janë arrestuar në qytetin Ratingen-Hösel të Gjermanisë, nën dyshimin për tentim-vjedhje në një banesë.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën mbrëma, më 28 tetor, rreth orës 18:45, në rrugën Eggerscheidter Straße, pasi një 72-vjeçar kishte njoftuar policinë për zhurma të dyshimta në shtëpinë e tij.
Kur kishte dalë në kopsht, ai kishte vërejtur dy burra që dyshohet se po tentonin ta hapnin me forcë derën e tarracës. Të dy ishin larguar nga pjesa e pasme e kopshtit para se policia të niste një operacion kërkimi, ku u përfshi edhe një helikopter policor.
Me ndihmën e banorëve të zonës, të dyshuarit u lokalizuan në kopshtin e një shtëpie në rrugën Wiesengrund. Ata u arrestuan pa rezistencë, me ndihmën edhe të një qeni policor.
Gjatë hetimeve, një banore raportoi edhe një tentim tjetër vjedhjeje në rrugën Bruchhauser Straße. Policia po shqyrton nëse dy shqiptarët kanë lidhje edhe me këtë rast.
Pas arrestimit, të dy u dërguan në stacionin policor. Njëri u lirua me urdhër të prokurorisë, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, ndërsa tjetri u paraqit para gjyqtarit për shkak të një urdhër-arresti që ekzistonte më herët.
Lajmi është publikuar nga mediumi gjerman News.de, duke iu referuar njoftimit të Policisë së Mettmannit.
Të dyshuarit do të përballen me procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa fajësia e tyre për veprat e pretenduara ende nuk është vërtetuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali