
Xhudistja kosovare Laura Fazliu nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin në finalen e Grand Slamit në Abu Dhabi, pasi është mposhtur në gjysmëfinale nga përfaqësuesja e Polonisë, Angelika Szymanska.
Megjithatë, medalja mbetet ende në objektivat e Fazliut, e cila do të ketë një tjetër mundësi për të luftuar për një vend në podiumin e kësaj gare prestigjioze ndërkombëtare.
Kujtojmë se rrugëtimin në Grand Slamin e Abu Dhabit, Laura e nisi me pushim në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë e mposhti me Wazaari portugezen Joana Crisostomo.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare tregoi forcën e saj duke triumfuar me Ippon ndaj vendases Tsendbazar Mashbat, rezultat që i siguroi një vend në mesin e katër xhudisteve më të mira të kategorisë.
Tashmë, përballë saj në luftën për medaljen e bronztë do të jetë kroatja Iva Oberan.
Fazliu do të synojë ta lërë pas humbjen në gjysmëfinale dhe ta përmbyllë garën në Abu Dhabi me medalje për Kosovën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali