Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave vazhdon sot në Prishtinë, thirrje për drejtësi për Arlindën

Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave vazhdon sot në Prishtinë, thirrje për drejtësi për Arlindën

Written by

in

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta kombëtare kundër vrasjes së grave do të vazhdojë edhe sot, duke filluar nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, kolektivi ka bërë të ditur se protestat nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe deri në vendosjen e drejtësisë për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara.

Në reagimin e tyre, aktivistet kanë kritikuar ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Xhelal Sveçla, duke deklaruar se qëndrimet e tyre ua kanë bërë të qartë se kërkesat e protestuesve nuk janë dëgjuar dhe nuk pritet të përmbushen.

“Ne nuk ndalemi deri kur drejtësia për Arlindën e për të gjitha gratë e vrara të vihet në vend”, thuhet në njoftimin e kolektivit.

Tutje, organizatorët kanë theksuar se do të vazhdojnë të protestojnë sot dhe në ditët në vijim, në rrugë dhe para institucioneve, për të kërkuar drejtësi dhe përmbushjen e kërkesave të tyre.

Protesta e sotme do të mbahet në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. /Telegrafi/