Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Çerkini.
Sipas raportimeve të para, Rama pritet të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Përkundër se i pari i kryeqytetit është pyetur nga gazetarët se në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit është thirrur të intervistohet, ai nuk është përgjigjur, raporton Telegrafi.
Hetimet për këtë projekt lidhen me dyshimet për parregullsi në procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe pretendimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.
Projekti, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës gjatë qeverisjes së Përparim Ramës, ka qenë vazhdimisht objekt kritikash nga opozita dhe diskutimesh në opinionin publik.
Deri në këtë fazë, nuk ka të dhëna për përfundimet e intervistimit të kryetarit të Prishtinës. /Telegrafi/