
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion të përbashkët inspektues në disa komuna të pjesës veriore të vendit, me qëllim të kontrollimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së operatorëve ekonomikë.
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara gjatë mbrëmjes së kaluar, janë mbyllur shtatë biznese afariste, pesë prej tyre në Mitrovicë dhe dy në Zveçan, për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë.
Gjatë inspektimeve, është konstatuar gjithashtu se njëri nga bizneset ushtronte veprimtari në mënyrë ilegale, pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Përveç mbylljes së bizneseve, ndaj operatorëve ekonomikë janë shqiptuar edhe shtatë gjoba për shkeljet e evidentuara.
IQMT ka bërë të ditur se aksionet inspektuese do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me synim zbatimin e ligjit, formalizimin e veprimtarisë ekonomike dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Po ashtu, ky institucion u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që t’i përmbushin kushtet minimale teknike dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali