Vrasja e Arlinda Zekajt, Krasniqi: Edhe kryeministri ka përgjegjësi morale

Vrasja e Arlinda Zekajt, Krasniqi: Edhe kryeministri ka përgjegjësi morale

Written by

in

Juristi Kolë Krasniqi ka përshëndetur dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e cila erdhi pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe dyshimeve për dështime institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës të raportuara nga ajo.

Megjithatë, Krasniqi, i ftuar në emisionin “FIVE” në Dukagjin, ka vlerësuar se përgjegjësia nuk duhet të përfundojë me dorëheqjen e Hoxhës, por të shtrihet edhe te ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe te kryeministri Albin Kurti, për të cilin thotë se ka përgjegjësi morale në raste të tilla.

“E përshëndes dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për faktin se ai ka pasur përgjegjësi institucionale, por nuk mjafton kjo, sepse ne e pamë menjëherë pas dorëheqjes së tij, ministri i Punëve të Brendshme e propozoi një personalitet tjetër që menjëherë u emërua si ushtrues detyre, që do të thotë se ekziston një zinxhir i drejtpërdrejtë i ndikimit të strukturave komanduese”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se ministri i Punëve të Brendshme do të duhej të merrte përgjegjësi morale dhe të kërkonte llogari edhe nga departamentet e tjera.

Sipas tij, në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, përgjegjësia duhet të analizohet në nivel më të gjerë institucional, duke përfshirë Policinë, Qendrat për Punë Sociale, Prokurorinë dhe Gjykatat.

“Përderisa nuk janë marrë masat e mjaftueshme institucionale, ku do të duhej të kishte koordinim me Policinë, QPS-në, Prokurorinë e Gjykatat, të gjitha këto kanë përgjegjësi për mbrojtjen e sigurisë dhe nëse ndonjëra nga këto nuk i përmbush obligimet e veta, atëherë fatkeqësisht ndodh rast si ky dhe me arsye po kërkojnë dorëheqjen e përgjegjësve”, është shprehur ai.

Krasniqi ka shtuar se përgjegjësia morale në raste të tilla shtrihet edhe te kryeministri, duke kërkuar reflektim dhe rishqyrtim të mënyrës së ushtrimit të detyrave nga institucionet përgjegjëse.

“Duhet të analizohen përgjegjësitë, moralisht përgjegjësi ka edhe Kryeministri në raste të tilla dhe është mirë të ketë reflektim dhe do të ishte e udhe të rishqyrtohet profesionalizmi dhe zbatimi i detyrave nga të gjithë”, u shpreh Krasniqi.

Burimi: Dukagjini