Ekzekutivi, paradite dha qëndrimin për raportet e dy ministrive lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Por, krejt ato çka i deklaruan Gërvalla e Sveçla u kritikuan nga opozita pasdite.
Besa Kabashi nga Partia Demokratike e Kosovës shpalosi kërkesën që kanë.
“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes. Asnjë funksion, asnjë post dhe asnjë pushtet politik nuk vlen më shumë se jeta e një qytetareje të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kabashi.
Kabashi që është pjesë e komisionit hetimor parlamentar për vrasjen e Zekajt tregoi se kur do të nisin punën.
“Do të takohemi sa më shpejt që është e mundur, besoj të hënën dhe do të marrim të gjitha raportet e detajuara çdo kërkesë,çdo shkresë..”
Kritika për qasjen e qeverisë karshi kësaj ngjarje patën edhe nga Aleanca.
“Në vështrimin tonë thënë më së buti kjo është një konferencë shumë e poshtër e dy zyrtarëve të Kosovës në raport me qytetarët për një rast që i ka tronditë të gjithë të dy folnin për një raport që e kanë mësu nga media ata folnin për një raport që ata janë përgjegjës por arroganca e tyre, cinizimi i tyre ishte neveritës”, deklaroi sekretari i Aleancës, Avni Arifi.
Arifi tha që kryeministri Albin Kurti po krijon një mburojë rreth ministrit Sveçla pas dorëheqjes së drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, teksa i njëjti deklaroi se i mbështesin plotësisht protestat.
Burimi: Dukagjini
