Kurti: “Prishtina 2030” do të mbahet edhe në qytete të tjera

Kurti: “Prishtina 2030” do të mbahet edhe në qytete të tjera

Written by

in

Kurti: “Prishtina 2030” do të mbahet edhe në qytete të tjera

Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” ka mbajtur të premten takimin e radhës, ku është diskutuar për vazhdimin e përgatitjeve dhe projektet që duhet të realizohen para organizimit të këtij eventi sportiv.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Lojërat Mesdhetare nuk do të zhvillohen vetëm në Prishtinë, por edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, përfshirë Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Drenasin dhe Skënderajn, bashkë me komunat e tjera.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Kurti ka bërë të ditur se punimet dhe investimet po vazhdojnë në disa prej objekteve sportive, përfshirë Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Ai ka theksuar se puna për realizimin e projekteve të parapara do të vazhdojë me ritëm të shtuar, ndërsa ka veçuar disa prej investimeve prioritare për organizimin e Lojërave.

Në mesin e tyre janë Qendra e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Sportistëve, Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.

Një prej çështjeve të rëndësishme për organizimin e Lojërave Mesdhetare mbetet edhe Stadiumi Nacional, i cili sipas kushteve duhet të ketë kapacitet prej së paku 20 mijë ulësesh.

Lidhur me këtë, Kurti ka bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me siç është shprehur ai, “kapacitet të shtuar”.

Ndërkohë, organizimi i “Prishtina 2030” është shoqëruar edhe me shqetësime për përmbushjen e obligimeve financiare. Javë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte ngritur shqetësimin se Kosova mund ta humbë të drejtën e organizimit të këtyre Lojërave, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare nga Qeveria.

Në fund, është bërë e ditur se do të mbahen edhe takime të tjera të përbashkëta, në të cilat do të prezantohen hapat e mëtejmë të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali