Dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht studentë dhe punëtorë, kanë dalë të premten në rrugët e qyteteve të ndryshme të Italisë, për të kërkuar paga më të larta dhe shërbime publike më të fuqishme, si dhe për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shpenzimeve ushtarake.
Protestat u organizuan në kuadër të një greve të përgjithshme 24-orëshe, të thirrur nga sindikata Unione Sindacale di Base (USB), me demonstrata të planifikuara në më shumë se 40 qytete të vendit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Demonstratat, të cilat vijnë pas përleshjeve të ndodhura në fillim të këtij muaji, kur protestuesit u përplasën me policinë, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona, këtë të premte u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore.
Megjithatë, në Torino situata u tensionua, pasi policia përdori topa uji për t’i zmbrapsur studentët dhe aktivistët e majtë, të cilët iu afruan kordonëve të sigurisë që mbronin ndërtesën e prefekturës.
Në Romë, një numër i madh protestuesish marshuan pranë Koloseut, ku paralajmëruan se synonin të vendosnin tenda dhe të qëndronin gjatë gjithë fundjavës. Ndërkohë, në disa rrugë u vendosën kontejnerë mbeturinash, të cilëve protestuesit u vunë flakën.
Në Milano, demonstruesit marshuan në unazën rrugore të qytetit, përpara se protestën ta përmbyllnin para Universitetit Politeknik të Milanos.
Ndërsa në Xhenova, rreth 15 mijë punëtorë portualë, studentë dhe protestues të tjerë hynë në port, duke iu bashkuar protestave të ngjashme në Evropë dhe pjesë të tjera të botës.
Ata kundërshtuan përdorimin e porteve për transportin e armëve dhe ngritën shqetësimet për vdekjen e detarëve në konfliktet e armatosura, nga Gjiri deri në Detin e Zi.
Një valë protestash ka përfshirë edhe vende të tjera evropiane, përfshirë Francën, Spanjën, Belgjikën dhe Shqipërinë. Pakënaqësitë lidhen kryesisht me rritjen e kostos së jetesës dhe kërkesat për kushte më të mira ekonomike e sociale.
Burimi: Dukagjini
