Bugatti po shqyrton mundësinë e prodhimit të një modeli sportiv më të lehtë, të pajisur me motor V16 dhe ndërrues manual të shpejtësive, ka bërë të ditur drejtuesi i kompanisë, Mate Rimac.
Në një intervistë për revistën Top Gear, Rimac la të kuptohet se planet e ardhshme të prodhuesit francez mund të përfshijnë një automjet që dallon nga hiperautomobilët tradicionalë të markës, duke u ofruar entuziastëve një përvojë më të drejtpërdrejtë të drejtimit.
“Absolutisht. Mund të mbështeteni në këtë”, u përgjigj Rimac kur u pyet nëse Bugatti mund të prodhojë automobila me ndërrues manual.
Një projekt i tillë do të përbënte një sfidë të madhe inxhinierike, veçanërisht nëse do të përdorej motori V16 me vëllim prej 8,3 litrash, i cili është pjesë e sistemit hibrid të modelit Bugatti Tourbillon. Ky sistem zhvillon një fuqi të kombinuar prej 1.800 kuajfuqish.
Për të krijuar një model më të lehtë dhe më të manovrueshëm, Bugatti mund të shqyrtojë ndryshime në sistemin e shtytjes dhe në komponentët hibridë. Megjithatë, deri tani nuk janë bërë të ditura hollësi konkrete për konfigurimin teknik të një automjeti të tillë.
Rimac ka theksuar se kompania dëshiron të shfrytëzojë lirinë për të zhvilluar projekte të reja dhe për të ndërmarrë hapa ambiciozë në të ardhmen.
Një kombinim i motorit me fuqi të lartë dhe ndërruesit manual do të ishte një zgjidhje e pazakontë në segmentin e hiperautomobilëve. Një shembull i ngjashëm është Hennessey Venom F5-M, i cili ka motor me 1.842 kuajfuqi dhe ndërrues manual të shpejtësive.
Për momentin, Bugatti nuk ka konfirmuar se kur mund të prezantohet një model i tillë apo nëse projekti do të kalojë në fazën e prodhimit. /Telegrafi/