
Portieri i Kombëtares së Argjentinës, Emiliano Martínez, ka treguar se një dëmtim i pësuar para Kupës së Botës i ka lënë pasoja që do t’i bartë gjatë gjithë jetës.
Gardiani argjentinas ka zbuluar se ende nuk mund ta përkulë plotësisht gishtin unazor të dorës së djathtë, të cilin e kishte thyer pak para nisjes së kampionatit botëror. Ai foli për këtë problem gjatë një bisede me gazetarin Gaston Edul.
“Ende nuk mund ta përkul siç duhet. Kështu më mbeti pas Kupës së Botës dhe do të jetë kështu për pjesën tjetër të jetës sime”, deklaroi Martínez.
Sipas mediave argjentinase, portieri kishte marrë rekomandime nga specialistë në Shtetet e Bashkuara dhe Angli që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Megjithatë, ai kishte vendosur ta shtynte operacionin, në mënyrë që të mos rrezikonte pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Për këtë arsye, Martínez e kishte zhvilluar të gjithë turneun me gisht të thyer. Edhe pse kanë kaluar vite nga ai dëmtim, ai thotë se vazhdon të përballet me dhimbje dhe vështirësi në lëvizjen e gishtit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali