Një zjarr i madh ka shpërthyer të premten në një rafineri nafte në rajonin e Samarës, në Rusi, pas një sulmi me dronë.
Sipas raportimeve të kanaleve ruse në Telegram, zjarri ka nisur në rafinerinë e Novokuibyshevskut, pas paralajmërimeve për sulm me dronë dhe një serie shpërthimesh.
Pamjet dhe videot që po qarkullojnë në rrjetet sociale duket se tregojnë përmasat e zjarrit, me disa kolona të mëdha tymi të zi që ngrihen lart në qiell, shkruan euronews.
Sulmi vjen në një kohë kur, sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Ukraina kishte pezulluar sulmet ndaj rafinerive ruse, pas presionit nga Uashingtoni. Pezullimi pritej të zgjaste deri pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA, të cilat mbahen më 3 nëntor.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar vazhdimisht Ukrainës të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse, duke pretenduar se ato po kontribuojnë në rritjen e çmimeve globale të karburanteve.
Më herët gjatë këtij muaji, ai njoftoi edhe një marrëveshje të diskutueshme për blerjen e naftës dizel nga Moska, me synimin për të ndikuar në uljen e çmimeve të karburanteve.
Forcat ukrainase kishin kryer sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj kësaj rafinerie edhe në muajin gusht, siç kishte njoftuar në atë kohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Më 22 gusht, Zelensky kishte deklaruar se forcat ukrainase kishin goditur rafinerinë, e cila ndodhet rreth 1000 kilometra larg vijës së frontit.
Sipas kompanisë ruse Rosneft, rafineria ka kapacitet për përpunimin e rreth 8.8 milionë tonëve naftë bruto në vit dhe është e përfshirë edhe në prodhimin e karburantit për aeroplanë.
Rosneft është pronare e kësaj rafinerie që nga viti 2007. /Telegrafi/