
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri, Armela Krasniqi, ka njoftuar se aplikacioni “One IPTV Player” është hequr për herë të dytë nga Google Play Store.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas verifikimeve të reja nga ekipet e inspektimit të AMA-s dhe kërkesës së këtij institucioni.
Sipas saj, aplikacioni shpërndante pa autorizim përmbajtje audiovizive shqiptare, duke përfshirë paketa televizive si DigitAlb, Tring, RTSH dhe TV Klan, si dhe kanale sportive si SuperSport dhe Tring Sport.
Krasniqi ka theksuar se pirateria audiovizive nuk do të tolerohet dhe se AMA do të vazhdojë të ndërmarrë hapa kundër aplikacioneve, platformave dhe faqeve që shpërndajnë përmbajtje pa të drejta transmetimi.
Ajo ka paralajmëruar se edhe në rastet kur këto platforma rikthehen me emra apo forma të tjera, do të identifikohen dhe raportohen sërish.
