
Një udhëtim jashtë Kosovës ka përfunduar me ndalim policor për një qytetar, pasi gjatë kontrollit në pikën kufitare të Hanit të Elezit ka rezultuar se ndaj tij ekzistonte një urdhërarrest aktiv, i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lidhur me një rast të veprës penale “Mashtrimi”.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ardian Gashin, rreth 41-vjeçar, i cili është ndaluar të premten, më 30 tetor, rreth orës 18:15, teksa po kalonte në pikën kufitare në dalje të Kosovës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë verifikimit të të dhënave të tij, zyrtarët policorë kanë konstatuar se Gashi figuronte me urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Por ajo që del nga informacionet e siguruara është se Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar që ai fillimisht të njoftohej për paraqitje në këtë institucion, ndërsa në rast refuzimi të arrestohej dhe të dërgohej në Prokurori.
Pas ndalimit në kufi, zyrtarët policorë kanë kontaktuar organet kompetente për të përcaktuar veprimet e mëtejshme.
Me vendim të organit kompetent, ndaj Gashit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor.
Rasti lidhet me veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa nga informacionet e deritanishme nuk janë bërë të ditura rrethanat konkrete të dyshimeve që kanë çuar deri te lëshimi i urdhërarrestit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali