I dha fund lidhjes, kur u kthye në Kosovë e gjeti banesën të demoluar – ish-partnerja dyshohet për vjedhje e kërcënime, kapet në Han të Elezit

I dha fund lidhjes, kur u kthye në Kosovë e gjeti banesën të demoluar – ish-partnerja dyshohet për vjedhje e kërcënime, kapet në Han të Elezit

Written by

in

I dha fund lidhjes, kur u kthye në Kosovë e gjeti banesën të demoluar – ish-partnerja dyshohet për vjedhje e kërcënime, kapet në Han të Elezit

Një ndarje dashurie është kthyer në një histori me kërcënime të dyshuara, sende të zhdukura dhe një banesë të dëmtuar në Prishtinë. Një 25-vjeçare, e cila kishte udhëtuar jashtë vendit pasi i kishte dhënë fund lidhjes, është përballur me një situatë të rëndë kur është kthyer në shtëpi, ndërsa dyshimet e saj kanë rënë mbi ish-partneren, e cila ende kishte çelësin e banesës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka përfunduar me ndalimin e një 22-vjeçareje, shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila është ndaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pas denoncimit për kanosje dhe vjedhje.

Gjithçka kishte nisur kur e dëmtuara, me inicialet A.K., kishte vendosur ta përfundonte lidhjen me S.T., duke ia komunikuar edhe asaj vendimin.

Më 23 tetor, ajo kishte udhëtuar jashtë Kosovës, por kur ishte kthyer më 26 tetor, kishte vërejtur se banesa e saj në rrugën “Muharrem Fejza” ishte dëmtuar dhe se i mungonin disa sende personale.

Vlera e sendeve të zhdukura, sipas deklarimit të saj, arrinte nga 1,100 deri në 1,300 euro.

Por ajo që e kishte shtyrë të dyshonte te ish-partnerja ishte fakti se kjo e fundit kishte pasur çelësin e banesës, ndërsa e dëmtuara kishte deklaruar se kishte marrë prej saj edhe mesazhe kërcënuese në gjuhën angleze.

Kështu, rreth orës 01:40 të 26 tetorit, ajo kishte vendosur ta raportonte rastin në Polici, duke treguar për dëmtimin e banesës, mungesën e sendeve dhe kërcënimet e pretenduara.

Mirëpo, as pas denoncimit, sipas saj, mesazhet shqetësuese nuk kishin pushuar.

Më 30 tetor, e reja është paraqitur sërish në stacionin policor, duke deklaruar se kishte pranuar mesazhe të tjera nga ish-partnerja.

Po atë ditë, Policia ka ndaluar të dyshuarën në pikën kufitare të Hanit të Elezit dhe e ka shoqëruar në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

Një tjetër detaj ka ndikuar në rrjedhën e procedurave: intervistimi i së dyshuarës nuk është realizuar menjëherë, pasi ajo ka kërkuar përkthyes të licencuar të gjuhës angleze, i cili nuk ishte siguruar në atë fazë.

Pas konsultimit me organet kompetente, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa ishte paraparë dërgimi në Qendrën e Mbajtjes.

Rasti po hetohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Vjedhja”, ndërsa mbetet të sqarohet përgjegjësia eventuale për dëmtimin e banesës, zhdukjen e sendeve dhe mesazhet e raportuara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali