Mbi 82 për qind e lexuesve të Telegrafit kërkojnë që arsimi të shpallet urgjencë kombëtare, por çfarë thonë njohësit

Mbi 82 për qind e lexuesve të Telegrafit kërkojnë që arsimi të shpallet urgjencë kombëtare, por çfarë thonë njohësit

Written by

in

Më shumë se tetë në dhjetë pjesëmarrës në pyetësorin online të Telegrafit vlerësojnë se arsimi në Kosovë duhet të shpallet urgjencë kombëtare.

Nga gjithsej 474 pjesëmarrës, 82,1 për qind vlerësojnë se arsimi duhet të jetë prioriteti numër një i Qeverisë.

Në mesin e problemeve kryesore, pjesëmarrësit kanë veçuar cilësinë e mësimdhënies, kurrikulat që nuk u përgjigjen nevojave të nxënësve, si dhe politizimin dhe menaxhimin jotransparent.

Të njëjtët faktorë dalin në pah edhe kur bëhet fjalë për rezultatet e ulëta të nxënësve në testet e dijes dhe shkathtësive.

Këto janë perceptimet e lexuesve që morën pjesë në pyetësor, ndërsa për të kuptuar më mirë shkaqet dhe përgjegjësitë, nevojitet edhe këndvështrimi i ekspertëve të arsimit.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, thotë se rezultatet e pyetësorit e kanë gëzuar, pasi nuk e kishte pritur një përqindje kaq të lartë të qytetarëve që e shohin arsimin si urgjencë kombëtare.

“Po, kam pasur rastin ta përcjell sondazhin e Telegrafit dhe i pashë rezultatet. Të them të drejtën, u gëzova, sepse nuk e prisja një përqindje kaq të lartë”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, ky rezultat tregon se qytetarët kanë filluar ta shohin arsimin si prioritet dhe të reflektojnë mbi krizën e thellë që prej vitesh mbretëron në sistemin arsimor të Kosovës.

“Kjo tregon se qytetarët e këtij vendi kanë filluar ta shohin arsimin si prioritet dhe të reflektojnë mbi situatën, mbi krizën e thellë që prej kaq shumë vitesh mbretëron në sistemin arsimor të Kosovës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo çështje të adresohet në këtë mënyrë, sepse, nëse i marrim sidomos rezultatet e fundit të studimit PISA, atëherë shohim se përkeqësimi ka qenë i vazhdueshëm për një dekadë. Thellimi i krizës dhe gjendjes jo të mirë në cilësinë e arsimit ka vazhduar pandërprerë. Pra, kemi regres dhe degradim të vazhdueshëm. Situata është aq e keqe, saqë ndoshta nuk mjafton që Qeveria ta shpallë arsimin prioritet, por është e qartë se nevojitet qasja që ai të trajtohet si urgjencë kombëtare, sepse, në fund të ditës, prioritetet janë çështje të dëshirueshme”, shton Ahmeti.

Ahmeti konsideron se gjendja në arsim nuk mund të presë më dhe se rezultati prej 82,1 për qindëshit të pjesëmarrësve në pyetësorin e Telegrafit përbën një alarm shoqëror, të cilit duhet t’i përgjigjen institucionet përgjegjëse.

“Situata në arsim është çështje që nuk mund të presë më. Është pikërisht emergjencë. Prandaj, edhe rezultati prej 82 për qind i qytetarëve që kanë qenë pjesë e sondazhit tuaj e tregon këtë alarm të shoqërisë. Mendoj se kështu duhet të adresohet nga institucionet relevante, natyrisht me prioritet ato qendrore”, potencon drejtori i ETEA-së.

Ahmeti propozon një pakt social për arsimin

Duke folur për hapat që duhet të ndërmerren, Ahmeti thotë se fillimisht duhet të shpallet një pakt social për arsimin, i cili do të tejkalonte mandatet qeveritare dhe interesat partiake.

“Nëse qëndrojmë te konteksti i shpalljes së arsimit si urgjencë kombëtare, konsideroj se hapi i parë që duhet të ndërmerret është shpallja e një pakti social për arsimin, ku natyrisht rol prioritar duhet të ketë Ministria e Arsimit dhe bartësit aktualë të përgjegjësive. Ky pakt duhet të ndërtohet mbi disa parime që tejkalojnë çfarëdo afati mandator apo qeveritar, sepse njëra prej pasojave në arsim është pikërisht ndërhyrja politike nga mandatet e përkohshme dhe reformat e ndërmarra ad hoc, për shkak të kalkulimeve dhe interesave të ngushta partiake”, bën të ditur ai.

Ai thotë se ndryshimet e shpeshta në sistemin arsimor, sa herë që ndryshojnë mandatet qeveritare, kanë ndikuar në gjendjen aktuale.

“Ideja është që të shpallet një pakt social mbi shpalljen e arsimit si urgjencë kombëtare dhe që, në kuadër të këtij pakti, të arrihet një konsensus mes të gjitha palëve relevante për disa parime afatgjata, të cilat do t’i tejkalonin interesat partiake. Mbi të gjitha, arsimi nuk duhet të jetë më sektori që shfrytëzohet për akomodimin e militantëve dhe për avancimin e interesave të ngushta partiake, sepse kjo është pasoja për të cilën po vuajmë gjeneratë pas gjenerate. Sidomos gjeneratat aktuale, të cilat, sipas rezultateve dhe studimeve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore, kanë një gjendje jashtëzakonisht të keqe sa i përket asaj që marrin nga sistemi arsimor”, deklaron Ahmeti.

Në kuadër të këtij pakti, Ahmeti veçon tri prioritete konkrete. I pari, sipas tij, duhet të jetë një program kombëtar për leximin dhe matematikën, si shkathtësi bazike.

“Në këtë kontekst të paktit social, mendoj se tri prioritete duhet të jenë konkrete. E para është çështja e një programi kombëtar për leximin dhe matematikën, pra për shkathtësitë bazike. Këto shkathtësi janë veçanërisht të domosdoshme në epokën e re të inteligjencës artificiale, ku burimet e informacionit e kanë humbur autoritetin e tyre. Mësimdhënësi nuk është më burimi i vetëm i informacionit, Google nuk është më burimi i vetëm dhe as libri nuk e ka më peshën që e ka pasur. Tashmë është inteligjenca artificiale”, tha Ahmeti.

Ai thekson se përdorimi i duhur dhe i dobishëm i inteligjencës artificiale varet nga aftësitë bazike të fëmijëve, përfshirë leximin, njohuritë matematikore dhe mendimin kritik.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale në mënyrën e duhur, të mirë dhe të dobishme bëhet pikërisht atëherë kur te njerëzit, sidomos te fëmijët tanë, ndërtohen fillimisht aftësitë e leximit, njohuritë matematikore dhe shkathtësitë bazike që çojnë drejt mendimit kritik, analitik dhe kreativ. Këto aftësi mundësojnë përdorimin e duhur të platformave që sot po e dominojnë edhe sistemin arsimor në nivel global”, thotë ai.

Prioriteti i dytë, sipas Ahmetit, është krijimi i një qasjeje të qartë dhe të rregulluar për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla.

“E dyta është pikërisht çështja e inteligjencës artificiale. Kosova vazhdon të mos ketë një qasje të duhur sa i përket ndërtimit të një rregullative që mundëson, adreson dhe udhëzon mësimdhënësit dhe nxënësit se cila është mënyra e duhur, e përgjegjshme dhe etike e përdorimit të inteligjencës artificiale në shkollë”, shton më tej ai.

Duke iu referuar një studimi të fundit të organizatës ETEA, Ahmeti thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit është bërë shumë i përhapur.

“Sipas të dhënave statistikore që ETEA ka në një studim të fundit, deri në 86 për qind e nxënësve i bëjnë detyrat e shtëpisë me inteligjencë artificiale. Prej tyre, 80 për qind kanë thënë se sot nuk e imagjinojnë t’i bëjnë detyrat e shtëpisë pa përdorur inteligjencën artificiale dhe këto platforma. Prandaj, shtrohet një pyetje e madhe: a duhet të ketë më detyra të shtëpisë?”, ka pyetur Ahmeti.

Ndërsa si prioritet të tretë, Ahmeti e sheh mësimin tërëditor, për të cilin thotë se mund të ndihmojë në adresimin e disa prej problemeve në arsim.

“E treta është mësimi tërëditor. Besoj se mësimi tërëditor adreson pikërisht disa prej këtyre problemeve. Ta zëmë, nëse flasim për detyrat e shtëpisë, mësimi tërëditor mundëson që ato të bëhen në shkollë, nën monitorimin e mësimdhënësit. Kjo e bën shkollën më atraktive, natyrisht me një program të duhur që duhet të ndërtohet në kuadër të këtij pakti social, ku përfshihen të gjitha palët”, deklaron ai.

Ai përmend se mësimi tërëditor po pilotohet në Prishtinë dhe ka filluar edhe në Kamenicë, por paralajmëron se kjo reformë duhet të zbatohet me kujdes dhe të mos dështojë.

“Mësimi tërëditor po pilotohet dhe po vazhdon të zbatohet në Komunën e Prishtinës, ndërsa tash ka nisur edhe në një komunë tjetër, në Kamenicë. Megjithatë, duket se problemet janë madhore. Prandaj, është urgjente që kjo reformë të mos dështojë, sepse përbën njërën prej reformave që definitivisht mund të sjellë rezultate të mira në sistemin arsimor të Kosovës. Nuk do t’i zgjidhë të gjitha çështjet, por do të shënojë progres nëse adresohen këto probleme dhe nëse ndërtohet një program i mirëfilltë, në dobi dhe në shërbim të nxënësve, por edhe të mësimdhënësve”, ka përfunduar Ahmeti.

Samir Shahini: Arsimi ka arritur në momentin kur duhet të shpallet urgjencë kombëtare

Edhe njohësi i fushës së arsimit, Samir Shahini, vlerëson se rezultatet e pyetësorit tregojnë se qytetarët po e shohin gjendjen në arsim si një çështje urgjente, për të cilën nevojitet një plan konkret veprimi.

“Është e rëndësishme që qytetarët, në një masë kaq të madhe, po e shohin realisht atë që duhet ta shohin edhe institucionet: arsimi është në momentin e fundit kur duhet të shpallet një formë e urgjencës kombëtare, me një plan të qartë veprimi për të ndryshuar situatën dhe për të dalë nga kjo gjendje, e cila tash e disa dekada ka vazhduar të degradohet në përgjithësi, më shumë sesa të përmirësohet”, thotë Shahini.

Shahini përmend edhe shembuj nga vende të tjera, të cilat kanë ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar sistemet e tyre arsimore.

“Diçka të ngjashme kanë vepruar edhe vende të tjera. Mund të marrim disa shembuj. Kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet ’80, të cilat përmes Kongresit kanë nxjerrë plane konkrete veprimi për të dalë nga një situatë e degradimit të vazhdueshëm të arsimit. Së fundmi kemi edhe Gjermaninë e viteve 2000, pas shokut që përjetuan nga rezultatet e PISA-s. Edhe ata kanë dalë me një plan konkret veprimi se si të tejkalohet kjo gjendje”, deklaron ai.

Sipas tij, shpallja e arsimit si urgjencë kombëtare nuk mjafton pa një plan të qartë që përcakton problemet që duhet të trajtohen menjëherë dhe ato që mund të adresohen në fazat e mëvonshme.

“Pra, nuk mjafton që ne vetëm të themi se arsimin po e shohim si urgjencë kombëtare. Duhet të shohim se si mund të dalim nga kjo situatë, duke e trajtuar me seriozitetin më të madh të një urgjence. Konkretisht, duhet të përcaktohet se cilat fusha të arsimit duhet të preken, cilat çështje duhet të trajtohen menjëherë dhe cilat mund të presin në fazat e mëvonshme. Edhe ky plan veprimi, ose kjo ndërmarrje masive drejt përmirësimit të arsimit, duhet të realizohet në faza, për shkak të kapaciteteve që kemi. Ne nuk mund të pretendojmë se të gjitha çështjet në arsim mund të zgjidhen shpejt”, potencon Shahini.

Shahini thekson se reformat në arsim kërkojnë kohë për të dhënë rezultatet e pritshme dhe nuk mund të krahasohen me projektet infrastrukturore, të cilat pas përfundimit mund të shfrytëzohen menjëherë.

“Nga ana tjetër, kur flasim për arsimin, kemi një fakt të pandryshueshëm: çdo ndryshim merr kohë ose kërkon kohën e nevojshme për t’u vërtetuar dhe për të dhënë efektin që presim. Nuk mund të pretendojmë të njëjtin rezultat sikurse në infrastrukturë, ku duhen disa vite për të përfunduar një projekt dhe ai mund të shfrytëzohet menjëherë”.

“Në arsim, çdo lëvizje, çdo reformë dhe çdo ndryshim thelbësor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënies, kërkon kohën e vet për të dhënë efekt”, ka përfunduar Shahini.

Lexuesit kërkojnë më shumë analiza për tekstet shkollore dhe propozime për reforma

Përveç nevojës që arsimi të shpallet urgjencë kombëtare, rezultatet e pyetësorit tregojnë edhe pakënaqësi me vëmendjen që mediat i kushtojnë këtij sektori.

Vetëm 5,7 për qind e pjesëmarrësve mendojnë se mediat i kushtojnë arsimit vëmendjen e duhur.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për temat që duan të lexojnë në Telegrafi, lexuesit kërkojnë më shumë analiza për tekstet shkollore dhe propozime konkrete nga ekspertët për reformat e nevojshme.

Këto janë perceptimet e pjesëmarrësve në pyetësorin online të Telegrafit, një sinjal se çfarë i shqetëson lexuesit dhe çfarë presin të ndryshojë në arsimin e Kosovës. /Telegrafi/